Universitetet në Kosovë po përballen me një rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, një trend që është thelluar vitet e fundit dhe që po ngre shqetësime serioze për të ardhmen e arsimit të lartë në vend.
Të dhënat zyrtare tregojnë se brenda pesë vjetëve, numri i studentëve në institucionet publike dhe private ka rënë për rreth 32 për qind. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2025 janë regjistruar gjithsej 64 mijë e 817 studentë, ndërsa pesë vjet më parë ky numër ishte 95 mijë e 335.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, vlerëson se arsyet kryesore lidhen me migrimin dhe ndryshimet demografike, veçanërisht rënien e natalitetit.
“Shqetësimi më i madh është në trendin demografik, Kosova ka një rënie edhe të natalitetit, pra shtimit të popullatës, por në tjetrën anë ka edhe ikje të popullatës. Këto janë shqetësimet kryesore. Këto shqetësime reflektojnë edhe në arsimin e lartë jo vetëm si numër i studentëve, por edhe si numër i të diplomuarve të ardhshëm”, ka thënë Rexhaj.
Sipas tij, përveç rënies së numrit të studentëve, problem serioz mbetet mungesa e planifikimit institucional për menaxhimin e kësaj situate.
“Po më pikëllon që as qeveria, as partitë politike, as faktorët e tjerë nuk po e shohin këtë si problem të madh. E njëkohësisht, nëse flasim në sistemin arsimor, nuk po shoh që institucionet arsimore e as autoritetet, ministria e këto, nuk po marrin masa që nëse po rënka numri i studentëve këta mësimdhënës, është numër i njëjtë i mësimdhënësve, qysh po përdoren? Të njëjtat fakultete, 15 për qind ka rënë numri i studentëve e numri i mësimdhënësve ka mbetur i njëjtë. Unë nuk po shoh planifikim as të përdorimit të stafit, as të përdorimit të objekteve, por as i trendëve të ardhshëm dhe një planifikim se kah me i orientu regjistrimet”, ka thënë ai.
Rexhaj thekson se mungesa e politikave të qarta shtetërore po e thellon edhe më tej këtë problem.
“E para, ne duhet me kriju qeverinë, sepse nuk kemi qeveri, ne njerëzve duhet me ju ofru prosperitet këtu në Kosovë. Edhe universitetet, edhe qeveria, edhe ministria duhet me i trajnu njerëzit që me ardhë kompanitë e jashtme me investu në Kosovë e jo njerëzit me na dalë jashtë. Ka mundësi por partitë politike, qeveritë e kushdo që vjen tash duhet me mendu për njerëzit më shumë, d.m.th. problem është njerëzit që dalin… pse njerëzit me dalë? Pse mos me ju kriju kushte me mbetë në Kosovë? Këto janë pyetje të mëdha dhe unë nuk pi e shoh asnjë autoritetet e asnjë niveli e besa as parti të ndryshme tu u marr me to”, është shprehur Rexhaj.
Rënia e numrit të studentëve pasqyrohet edhe në arsimin parauniversitar. Gjatë pesë vjetëve të fundit, në shkollat e Kosovës janë evidentuar 21 mijë nxënës më pak.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2020/2021 ishin të regjistruar 229 mijë e 664 nxënës, ndërsa në vitin 2024/2025 ky numër ka rënë në 208 mijë e 515.







