Festimet e fundvitit në Prizren këtë vit do të zhvillohen pa fishekzjarre, pasi komuna ka vendosur ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe shmangien e aksidenteve gjatë festave.
Një vendim të ngjashëm kanë marrë edhe komunat e Gjilanit dhe Vushtrrisë, duke ndjekur të njëjtën qasje parandaluese.
Njohësi i çështjeve emergjente, Ilir Morina, ka theksuar rreziqet serioze që vijnë nga përdorimi i mjeteve piroteknike, duke përmendur pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Aspekti i sigurisë dhe i lëndimeve e i plagosjes që po ndodh me to, pra me nxjerrjen e syrit edhe të organeve të tjera dhe dëme të tjera që ata kanë pasoja gjithë jetën, pastaj mos me thënë që ka pas raste edhe të djegies në përgjithësi të një magazine, në keqmenaxhimin e tyre dhe në vdekjen e personave në Prizren qe e kemi pasur rastin. Do të thotë janë raste të rënda që po na i kthejnë festat në tragjedi familjare dhe do duhet që këto masa të përcillen dhe të merren dënime rigoroze në mënyrë që të vetëdijesohet popullata”.
Përveç rrezikut për njerëzit, përdorimi i fishekzjarreve vlerësohet se ka ndikim të dëmshëm edhe në mjedis. Profesori i mjedisit, Sami Makolli, ka sqaruar pasojat ekologjike që shkaktohen nga këto mjete.
“Shpërthimi i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve tash që janë të zakonshme në festat e fundvitit kanë ndikim të keq në mjedis, do të thotë ato lirojnë gazra toksike si sulfur, metale të rënda alkaline, alkaline tokësore dhe përpos që ndotin ajrin dhe janë të dëmshëm për fëmijët dhe ata që janë të sëmurë me sëmundje respiratore, ato kanë ndikim të keq se depozitohen në tokë dhe prishin ekosistemin bimor dhe shtazor e mos të flas për pjesën e zhurmës e të stresit që i japin gjitha specieve”.
Lidhur me këtë çështje, është tentuar të merret një qëndrim edhe nga shitësit e mjeteve piroteknike, por ata nuk kanë pranuar të flasin.
Vlen të theksohet se një vit më parë, Ministria e Punëve të Brendshme kishte ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike para datës 26 dhjetor, ndërsa përdorimi i tyre ishte i lejuar deri më 1 janar. /Gjurmuesi/







