Njëri prej vendndodhjeve më të njohura arkeologjike në botë, Persepolisi në Iran, po përballet me një kërcënim serioz nga fundosja graduale e tokës. Ky kompleks mbi 2,500 vjeçar, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1979, po rrezikohet nga faktorë natyrorë dhe njerëzorë.
Studimet tregojnë se toka rreth Persepolisit fundoset deri në 30 centimetra në vit, duke kërcënuar ruajtjen e gdhendjeve dhe strukturave monumentale. Shkaku kryesor është shfrytëzimi i tepruar i ujërave nëntokësore, i cili përshpejton procesin e shkretëtirëzimit në Iran. Mahdi Motagi nga Qendra Helmholtz për Kërkime Oqeanike paralajmëron se pasojat janë të pashmangshme. Që nga vitet 1970, Irani ka humbur mbi 70% të rezervave të ujërave nëntokësore, duke shkaktuar pasoja infrastrukturore dhe mjedisore në shumë rajone.
Fenomeni nuk kërcënon vetëm Persepolisin; pasuri të tjera iraniane si Pasargada dhe qyteti i Jazdit janë gjithashtu të rrezikuara. Në Teheran, toka po fundoset deri në 25 centimetra në vit. Për monitorim përdoren teknologji radari, ndërsa Irani planifikon të ulë konsumimin e ujit përmes teknikave të përmirësuara të ujitjes, megjithëse sanksionet dhe mungesa e investimeve e vështirësojnë këtë proces. Për shembull, Bangkoku arriti të ulë shkallën e fundosjes nga 120 në më pak se 20 milimetra në vit pas kufizimit të pompimit të ujërave nëntokësore.
Përveç fundosjes së tokës, Persepolisi po përballet edhe me likenet, të cilët dëmtojnë sipërfaqet prej guri dhe mbishkrimet për shkak të acideve organike që lëshojnë. Këto dëmtime përkeqësohen nga shirat acidikë, klima e paqëndrueshme dhe mirëmbajtja e dobët, për shkak të mungesës së fondeve. Ekspertët paralajmërojnë se dëmtimet mund të jenë të pakthyeshme pa masa urgjente mbrojtëse.
Persepolisi u themelua nga Dariu I rreth vitit 518 para erës sonë si kryeqytet ceremonial i Perandorisë Ahemenide dhe përfaqësonte një mrekulli arkitekturore të kohës së tij. Pallatet, shkallët monumentale dhe salla si Apadana dhe Salla e Njëqind Shtyllave janë të mbuluara me relieve që tregojnë popujt që i sillnin haraç mbretit persian. Sot, trashëgimia e Persepolisit varet nga aftësia për të parandaluar kërcënimet natyrore dhe njerëzore në kohë.









