Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka konfirmuar se do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit janë shpallur të paligjshme dhe janë shfuqizuar dy nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.
Gjatë mbledhjes së mbajtur të enjten, ZRRE-ja theksoi se aktgjykimi i Gjykatës Supreme ka karakter deklarativ dhe konstatues, duke sqaruar interpretimin e ligjit, por pa krijuar apo shfuqizuar të drejta dhe detyrime të reja për konsumatorët apo pjesëmarrësit në treg.
Ushtruesi i detyrës në Departamentin Ligjor të ZRRE-së, Ymeridin Misini, sqaroi se udhëzuesi i shfuqizuar, sipas gjykatës, nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në marrëdhëniet juridike të krijuara mbi bazën e legjislacionit në fuqi.
“Gjykata Supreme me aktgjykim ka bërë interpretim të detyrueshëm të nenit 37, në lidhje me Nenin 3, paragrafi 1.72 të Ligjit për Energjinë Elektrike, në përputhje me Nenin 3, duke e sqaruar se e drejta për shërbime universale u takon konsumatorëve familjarë dhe vetëm ndërmarrjeve të vogla që i plotësojnë kriteret ligjore për numrin e punonjësve dhe qarkullimin vjetor. ZRRE-ja vazhdon zbatimin e ligjit për energjinë elektrike, ashtu si është interpretuar nga Gjykata Supreme, pa zgjerim dhe pa përkufizim përtej kritereve të përcaktuara. Ky vendim është deklarativ dhe konstatues të natyrës, dhe nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo për pjesëmarrësit në treg. Ky vendim nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në vlefshmërinë e marrëdhënieve juridike të detyruara bazuar në legjislacionin në fuqi. Ky konstatim bëhet vetëm për qëllim të qartësimit institucional dhe transparencës juridike pa krijuar efekte të reja normative”, tha ai.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, bëri të ditur se vendimi është miratuar me unanimitet, duke konfirmuar zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme për udhëzuesin e shfuqizuar.
“Konstatoj se me 5 vota për dhe asnjë kundër, ky vendim konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme sa i përket udhëzuesit, i cili ishte shfuqizuar që nga viti 2021, por është konstatuar nga Gjykata Supreme me pezullimin e këtyre dy neneve të këtij udhëzuesi”, tha ai.
Në të njëjtën mbledhje, ZRRE-ja miratoi edhe Rregullën për Mekanizmin Mbështetës të Energjisë së Ripërtërishme. Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, theksoi se kjo rregullore përcakton kornizën e plotë rregullative për funksionimin, financimin dhe mbikëqyrjen e këtij mekanizmi.
“Kjo rregull vendos kornizën rregullative të plotë për funksionimin, financimin dhe mbikëqyrjen e mekanizmit mbështetës të energjisë së ripërtërishme. Qëllimi kryesor është sigurimi i një mekanizmi të qëndrueshëm, transparent dhe financiarisht të balancuar për mbështetjen e prodhimit të energjisë së ripërtërishme”, tha ai.
Po ashtu, ZRRE-ja miratoi Planin e Integritetit 2024–2026, i cili adreson menaxhimin e rrezikut të integritetit në fusha si burimet njerëzore, menaxhimi financiar, prokurimi, licencimi dhe tarifat. Pepaj theksoi se rishikimi i planit është bërë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.
“Ky plan adreson drejtpërdrejt proceset ku ekziston potencial për cenim të integritetit, duke përfshirë burimet njerëzore, menaxhimin financiar, prokurimin, licencimin dhe tarifat. Procesi i rishikimit është zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, tha ai.
Vendimi i Gjykatës Supreme erdhi pas padisë së Odës Ekonomike të Kosovës ndaj ZRRE-së, lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Me këtë aktgjykim, Supremja shpalli të paligjshëm Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017.
Po ashtu, u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua edhe neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë, i ndryshuar dhe plotësuar më 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018, dhe i miratuar më 28 mars 2019. /Gjurmuesi/









