Donald Trump ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë shtesë prej 100% mbi importet nga Kina, duke e arsyetuar këtë vendim me qëndrimin “jashtëzakonisht agresiv” të Pekinit në tregti.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Kina kishte dërguar “një letër jashtëzakonisht armiqësore botës” dhe kishte vendosur “kontrolle të gjera të eksportit” mbi pothuajse çdo produkt që prodhon. Ai paralajmëroi se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor dhe se SHBA-të do të zbatojnë gjithashtu kufizime për çdo “softuer kritik” që përdoret nga Kina.
Sipas presidentit amerikan, këto masa janë një përgjigje ndaj kontrolleve të eksportit që Kina ka vendosur mbi metalet e rralla, duke e cilësuar këtë si një veprim të paprecedentë. Trump theksoi se, duke filluar nga 1 nëntori 2025 – ose më herët, nëse Kina ndërmerr hapa të tjerë – SHBA-të do të aplikojnë një tarifë 100% mbi çdo produkt kinez që tashmë i nënshtrohet tarifave ekzistuese.
“Është e pabesueshme që Kina ka ndërmarrë një veprim të tillë, por kjo është realiteti. Pjesa tjetër është histori,” shkroi Trump në përfundim të postimit të tij.
Më herët të premten, ai shtoi se nuk sheh ndonjë arsye për t’u takuar me presidentin kinez Xi Jinping gjatë udhëtimit të tij të ardhshëm në Korenë e Jugut, duke theksuar se “janë duke u shqyrtuar seriozisht edhe kundërmasa të tjera”. /Gjurmuesi/









