Në sheshet e kryeqytetit kanë nisur të vendosen disa nga dekorimet, ndërsa pjesa tjetër pritet të realizohet në ditët në vijim. Për këtë aktivitet, Komuna e Prishtinës ka ndarë mbi 97 mijë euro përmes procedurës së negociuar.
Kontrata i është dhënë operatorit ekonomik “Te Fatosi”, me vlerë përfundimtare 97,057.00 euro. Fillimisht, në garë kishin marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, ndërsa kriteri vendimtar për shpalljen e fituesit ka qenë çmimi më i ulët.
Operatori fitues kishte ofertuar fillimisht shumën prej 98,557.00 euro, por pas negociatave për uljen e çmimit, vlera është reduktuar për 1,500.00 euro, duke e çuar kontratën në shumën përfundimtare prej 97,057.00 euro.
“Drejtoria për Kulturë si njësi kërkuese e ka iniciuar vitin e kaluar procedurën për dy vite. Vitin e kaluar, njëri lot është realizuar me sukses, derisa i dyti i cili është planifikuar për këtë vit, pas ankesës së operatorit është anuluar dhe është ritenderuar.
Përgjigje nga sektori i prokurimit:
Lidhur me aktivitetin e prokurimit për dekorimet verore, dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi, ju njoftoj se ky aktivitet i prokurimit paraprakisht është anuluar me vendim të OSHP-së. Tutje Komuna e Prishtinës e ka ritenderuar aktivitetin e prokurimit dhe aktualisht procedura ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave nga komisioni i rivlerësimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Megjithatë, kjo mënyrë e negocimit dhe shuma e ndarë kanë nxitur reagime nga opozita në kryeqytet, e cila ka kritikuar sidomos çmimin e lartë të dekorimeve të vendosura në shesh.
“Qeverisja e Përparim Ramës, është një qeverisje që çdo herë ka ndarë buxhet vetëm për shokët e vet. Kështu që nuk është për me u habit asgjë për arsye se asnjëherë nuk është dekoruar sheshi me kohë, por edhe për shumën që është paguar asnjëherë nuk ia ka vlejtur. Kështu që edhe kësaj here, njëjtë si herëve të tjera nuk është se e ka marr me seriozitet dekorimin e sheshit kjo qeverisje lokale”, ka thënë Bajraktari.
Pakënaqësi kanë shprehur edhe disa qytetarë, të cilët konsiderojnë se shuma e ndarë nuk po reflektohet në pamjen e sheshit.
“Nuk po e rregullojnë këtë sa duhet me e rregulluar, pra masi janë ndarë parat këtu duhet me u zbukuruar sidomos kryeqyteti e që është kryesori. Këtu duhet me pas një pamje të bukur që i ka hije kryeqytetit, çdo kryeqytet rregullohet për vit të ri. Mendoj se shumë është e mjaftueshme me rregulluar sheshin, por duhet me i gjet ato elementet kryesore për me e rregulluar se ky është kryeqytet duhet me u dok sa më bukur”, u shpreh Halimi.
Ndërkohë, një qytetar tjetër e sheh gjithë këtë proces si pjesë të kalkulimeve politike.
“Nuk është qëllimi i tij me e bë ndonjë zbukurim të qendrës e qytetit, është qëllimi i tij me përfituar ndonjë poenë tash, për arsye se e shikon se çfarë veprimi ka bërë ai e ka bllokuar këtu rrugën”, ka thënë Krasniqi.
Kritika dhe reagime pati edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët përveç vërejtjeve dhanë edhe urime për fundvit.
“Mu dok një shumë bukur e madhe për këtë shesh kaq të vogël, por jemi mësuar tashmë me këta politikanë që harxhojnë tej mase për gjëra të cilat nuk ish dashur të harxhohen aq. Shëndet gjithë qytetarëve të Kosovës e mirëqenie edhe do Zoti shqiptarët ndërgjegjësohen edhe i kthehen vetvetes”, u shpreh Bici.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga festa në sheshin “George Bush”, për shkak të punimeve që po zhvillohen në atë zonë. /Gjurmuesi/









