Një rast i rëndë i dyshimit për dhunë dhe abuzim ndaj një të mituri ka ndodhur të hënën në qytetin e Ferizajt. Viktima dyshohet të jetë një 13-vjeçar, i cili ishte kontaktuar fillimisht përmes rrjeteve sociale nga një 17-vjeçar. Autoritetet janë në kërkim të të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se rasti ndodhet aktualisht në fazën preliminare të mbledhjes së informacionit dhe provave të nevojshme për hetimin. “E konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një informacion të tillë në lidhje me këtë çështje. Aktualisht rasti në fjalë ndodhet në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera, të cilat do të shërbejnë për procedurën e mëtejshme hetimore”, tha zëdhënësja e prokurorisë, Kaltrina Shala.
Për sigurinë e viktimës, Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, duke theksuar se informacioni për të mitur është konfidencial.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se po punon ngushtë me institucionet e tjera relevante për të zbardhur plotësisht rastin. “Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Dhunimi’, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në njoftimin e policisë. /Gjurmuesi/







