Rritja e kallëzimeve penale për korrupsion gjatë vitit 2025 ka rikthyer në vëmendje problemet e funksionimit të drejtësisë në Kosovë. Megjithëse institucionet raportojnë një numër të madh rastesh të referuara për ndjekje penale, vazhdojnë kritikat për zvarritjen e proceseve dhe parashkrimin e lëndëve në gjykata.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dorëzuar mbi 100 kallëzime penale vetëm gjatë këtij viti, duke shënuar një rritje të ndjeshme të rasteve me dyshime për korrupsion.
Gjatë vitit 2025 ka nisur rigjykimi i rastit të njohur si “53 milionëshi”, një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në nivel qeveritar, i ndodhur tetë vite më parë. Të akuzuarit Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha janë rikthyer në seanca pasi Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë që i dënonte me gjithsej 10 vjet burg.
Sipas avokatit Anton Nrecaj, shumë raste të tjera kanë përfunduar për shkak të parashkrimit të lëndëve, duke e cilësuar këtë si një problem serioz të sistemit të drejtësisë.
“Parashkrimi është një nga sëmundjet më të mëdha të sistemit të drejtësisë, sëmundje të cilën duhet evituar dhe në kuadër të kësaj sigurisht se do duhej të kishte llogaridhënie nga sistemi i drejtësisë, në këtë rast nga Gjykatat dhe gjyqtarët e caktuar në lëndë se pse lejojnë që rastet e korrupsionit të parashkruhen”, tha Nrecaj.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë dërguar më shumë se 120 kallëzime penale, si dhe raste të tjera tek institucionet përkatëse për shkelje tatimore apo standardesh.
“Ka ndonjë deputet, por nuk ka nivel të zëvendësministrit e ministrit apo të udhëheqësve kryesor të vendit. Ka nivele të tjera. Më së shumti zyrtarë nga Policia e Kosovës, për shkak të lëshimeve në deklarim të pasurisë”.
Ndërkohë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se këtë javë po zhvillon aktivitete në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit. /Gjurmuesi/









