Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka hedhur poshtë çdo pretendim që lidh vaksinimin me autizmin, duke përforcuar rëndësinë e vaksinave për shëndetin publik global. Ky qëndrim vjen në kontrast me pretendimet e administratës së Donald Trump, e cila ka sugjeruar një lidhje të mundshme midis vaksinave dhe zhvillimit të autizmit.
“Vaksinat janë thelbësore,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke prezantuar raportin që përmbledh gjetjet e 31 studimeve të ndryshme. Sipas Tedrosit, “të gjitha arrijnë në përfundimin se nuk ka një lidhje shkak-pasojë midis vaksinimit dhe autizmit”. Ai rikujtoi se studimi i vitit 1998, që kishte sugjeruar lidhje të kundërt, është shpallur “i rremë” dhe është tërhequr.
Në SHBA, Sekretari i Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., ka rekomanduar shmangien e disa vaksinave për shkak të shqetësimeve mbi autizmin. Megjithatë, Tedros theksoi se marrëveshjet bilaterale që SHBA-ja ka nënshkruar me disa vende në zhvillim, ku ndihma amerikane kushtëzohet me ndarjen e të dhënave mbi patogjenët, nuk bien ndesh me negociatat globale për një kornizë shumëpalëshe. Ai shtoi se këto marrëveshje “nuk mund të zëvendësojnë një marrëveshje ndërkombëtare” të mbështetur nga rreth 150 vende të tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së rikujtoi rëndësinë e një platforme globale të përbashkët, veçanërisht duke pasur parasysh se SHBA do të largohet nga organizata brenda një muaji. Përballë shkurtimeve buxhetore nga SHBA dhe disa vende të tjera, OBSH-ja pritet të reduktojë afërsisht 1300 vende pune deri në qershor.
Megjithatë, Tedros mbeti optimist për të ardhmen: “Bota vazhdon të ketë nevojë për OBSH-në”. Organizata duhet të sigurojë edhe një miliard dollarë shtesë për periudhën e financimit 2026–2027. Ai theksoi se kjo mungesë është më e vogël se në periudhat e mëparshme dhe shprehu besimin se ky boshllëk financiar mund të tejkalohet. /Gjurmuesi/









