Kosova po i afrohet rikthimit të prodhimit të municionit pas më shumë se tri dekadash. Planet e reja të institucioneve parashohin që brenda vitit të ardhshëm vendi të nisë prodhimin e kalibrave të ndryshëm, duke vendosur në treg municione të prodhuara brenda Kosovës. Kjo nismë shihet si hap i rëndësishëm strategjik për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin industrial.Në fund të vitit të ardhshëm, pritet që në treg të dalin prodhimet e para me etiketën “Made in Kosova”.
Fabrika e re do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, lokacion ku është planifikuar edhe zona industriale e qytetit. Kjo projekt është konsideruar nismë strategjike për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe forcimin e sigurisë së ushtrisë së Republikës.
“Në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë që do të prodhohen në Kosovë nga një fabrikë shtetërore për nevoja të ushtrisë, policisë dhe për nevojat e eksportit”, kishte deklaruar ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ish-ushtarakë dhe ekspertë të sigurisë e vlerësojnë këtë zhvillim si të domosdoshëm, sidomos në kohën kur situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë mbetet e tensionuar. Sipas tyre, prodhimi i municionit do të ndikojë jo vetëm në furnizim të qëndrueshëm, por edhe në aftësinë e vendit për të vepruar në situata të krizave globale.
“Situata e sigurisë në përgjithësi është jashtëzakonisht e brishtë, dhe nëse vihet deri te një konflikt i përmasave globale, atëherë do të jetë shumë i kufizuar edhe blerja e armatimeve dhe municioneve dhe në këtë aspekt ndërtimi i kësaj fabrike, nëse nuk është deklarim politik, nëse është real ajo çka është deklaruar unë e shoh jashtëzakonisht të dobishme për ne në përgjithësi”, tha Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së.
Ekspertët e ekonomisë dhe sigurisë theksojnë se fabrika pritet të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik, duke krijuar potencial për eksport dhe përfitim financiar për vendin.
“Hapja e fabrikës së municionit që nuk do të jetë vetëm për kapacitet brendshme të përmbushjes, normal për fillim, por që ma vonë do të jenë për eksport në vende të tjera, dhe kjo do të ketë edhe në aspekti profitabil edhe përfitues”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Një vit më parë, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me një kompani turke të industrisë ushtarake për ndërtimin e fabrikës së municioneve. Kjo marrëveshje parasheh prodhimin e kalibrave të ndryshëm dhe mjeteve të tjera ushtarake sipas standardeve të NATO-s.
Të gjitha pjesët janë të ruajtura, hyrja është krejtësisht e re, citatet të paprekura. /Gjurmuesi/









