Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe Ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pritën sot në Qeveri studentë që kanë përfituar nga skemat e bursave të ndryshme. Këto përfshijnë bursat për studime jashtë vendit në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe bursat për komunitetet.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti uroi studentët për arritjet e tyre dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që synojnë studime në institucione prestigjioze ndërkombëtare. “Ai theksoi se investimi në arsim cilësor mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, duke shprehur besimin se këta të rinj do të jenë kontribues të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe shoqëror të vendit pas përfundimit të studimeve”, thuhet në njoftim.
Ministrja Nagavci vlerësoi përkushtimin e studentëve fitues dhe nënvizoi se skemat mbështetëse përfaqësojnë një investim të drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor të Kosovës. “Në vijim rikujtoi se gjatë pesë viteve të fundit MAShTI ka zgjeruar ndjeshëm skemat e bursave, si për studentët brenda vendit ashtu edhe për ata që studiojnë jashtë dhe theksoi përkushtimin për të vazhduar punën drejt rritjes së cilësisë në arsim dhe zgjerimit të mundësive për studentët.”
Studentët përfitues shprehën mirënjohjen për mbështetjen dhe vlerësuan mundësinë për të ndjekur studimet në universitete brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar se njohuritë e fituara do t’i përdorin për avancimin e Kosovës.
Qeveria dhe MAShTI rikonfirmuan përkushtimin për të vazhduar politikat mbështetëse, që u mundësojnë të rinjve të vendit të përfitojnë nga arsimi cilësor dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit. /Gjurmuesi/







