Një raport i ri global ka nxjerrë edhe këtë vit një panoramë të qartë të qyteteve që kryesojnë botën për turizëm, duke treguar tendencat dhe preferencat e udhëtarëve për vitin 2025. Lista, e cila analizon atraktivitetin urban, qëndrueshmërinë, infrastrukturën dhe përvojën turistike, ka sjellë rezultate të ngjashme me vitet e fundit – me një fitues absolut në krye.
Sipas vlerësimeve të “Euromonitor International”, Parisi ka ruajtur sërish pozicionin e parë, duke u shpallur qyteti më tërheqës në botë për të pestin vit me radhë. Kryeqyteti francez ka regjistruar mbi 18 milionë vizitorë ndërkombëtarë gjatë vitit 2025, të ndikuar nga infrastruktura turistike, oferta kulturore dhe angazhimi ndaj qëndrueshmërisë.
Analistët theksojnë se rihapja e katedrales Notre-Dame de Paris ka qenë një nga zhvillimet që ka gjeneruar interes të madh tek turistët.
Në total, mbërritjet në 100 qytetet kryesore të botës kanë arritur në 702 milionë këtë vit, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me vitin e kaluar.
Pas Parisit renditet Madridi në vendin e dytë, i njohur për iniciativat e tij në qëndrueshmëri dhe lëvizshmëri urbane. Në vendin e tretë qëndron Tokio, i cili konfirmon edhe një herë statusin si destinacioni kryesor urban i Azisë, me ofertën e tij dinamike turistike dhe ngjarjet madhore sportive.
Italia rikthehet fuqishëm në pesëshen e parë me dy qytete:
Roma zë vendin e katërt, e mbështetur nga hapja e hoteleve luksoze dhe zgjerimi i infrastrukturës aeroportuale, ndërsa Milano pozicionohet e pesta, falë mjedisit të saj sipërmarrës, lidershipit në modë e dizajn dhe infrastrukturës së zhvilluar turistike. /Gjurmuesi/









