Përdorimi i inteligjencës artificiale nga adoleshentët është bërë një pjesë e zakonshme e jetës së tyre të përditshme, edhe pse debatet rreth ndikimit në shëndetin mendor dhe sigurinë online të fëmijëve po rriten nga dita në ditë.
Një studim i ri nga Qendra Kërkimore Pew, i pari që analizon në mënyrë të drejtpërdrejtë përdorimin e chatbot-eve të AI nga të rinjtë, tregon se pothuajse 70% e adoleshentëve amerikanë kanë përdorur të paktën një herë një mjet të këtij lloji. Studimi anketoi rreth 1,500 të rinj të moshës 13 deri në 17 vjeç dhe nxori në pah se një pjesë e mirë e tyre i përdorin këto mjete në baza ditore.
Sipas të dhënave, 16% e atyre që përdorin chatbot-e me inteligjencë artificiale çdo ditë, e bëjnë këtë disa herë në ditë ose “pothuajse vazhdimisht”. Mjeti më i përdorur mbetet ChatGPT, i cili raportoi popullaritetin më të lartë në këtë grupmoshë. Pas tij renditen Gemini i Google, Meta AI, Copilot i Microsoft, Character.AI dhe Claude i Anthropic.
Studimi evidentoi edhe disa dallime demografike, megjithëse të vogla. Vajzat dhe djemtë i përdorin këto aplikacione pothuajse në të njëjtin nivel (64% kundrejt 63%). Adoleshentët më të rritur (15–17 vjeç) janë pak më të prirur t’i përdorin chatbot-et krahasuar me ata më të rinjtë (13–14 vjeç). Përdorimi rritet gjithashtu me të ardhurat familjare, ndërsa adoleshentët me ngjyrë dhe hispanikë (rreth 70%) raportojnë përdorim pak më të lartë krahasuar me adoleshentët e bardhë (58%).
Këto rezultate publikohen në një moment kur disa kompani të mëdha të inteligjencës artificiale po përballen me akuza të rënda. OpenAI dhe Character.AI janë paditur nga familje që pretendojnë se aplikacionet e tyre kanë kontribuar në probleme të shëndetit mendor apo edhe në raste të vetëvrasjeve tek të rinjtë. /Gjurmuesi/








