Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka ngritur alarmin për situatën ekonomike në vend, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes ka futur Kosovën në një ngërç të plotë ekonomik.
Sipas reagimit, ekonomia po stagnon, investimet janë në rënie, ndërsa qytetarët dhe bizneset po e ndjejnë çdo ditë e më shumë barrën e papërgjegjësisë politike.
“Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit. Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”, thuhet në reagim.
LBK thekson se mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat. Shumë borde dhe agjenci shtetërore, sipas tyre, funksionojnë me ushtrues detyre, pa legjitimitet për të marrë vendime strategjike, duke paralizuar proceset ekonomike.
Në reagim shtohet se Kosova, dikur shembull për rajonin, sot po përballet me ekonomi të ngadalësuar dhe mungesë të plotë të vizionit zhvillimor.
“Mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore mbeten të bllokuara në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional. Këto mjete, që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim, sot qëndrojnë të palëvizshme, ndërsa bizneset përballen me vështirësi të mëdha në terren.”
Lidhja e Bizneseve paralajmëron se vendi po përballet me çmime të larta të energjisë, kosto të rritura të prodhimit, mungesë të investimeve të huaja dhe rrezik për largim të kapitalit ekzistues. Gjithashtu, ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe humbja e vendeve të punës po thellojnë krizën.
Përveç sfidave të brendshme, LBK shprehet se pezullimi i dialogut strategjik Kosovë–SHBA po dëmton imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit.
Në fund, organizata apelon për përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike.
“Bizneset kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe klimë të qëndrueshme zhvillimore – jo bllokadë e pasiguri,” përfundon reagimi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. /Gjurmuesi/









