Një operacion i gjerë policor në Greqi ka çuar në arrestimin e gjashtë personave, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi kriminal që merrej me vrasje me porosi. Aksioni u zhvillua të martën dhe, sipas autoriteteve, të arrestuarit lidhen me atentatin ndaj një figure të botës së krimit, i cili më vonë u vra në Arahova.
Në mesin e të dyshuarve janë katër shtetas shqiptarë dhe dy grekë. Të gjithë konsiderohen të njohur për policinë për vrasje të mbetura në tentativë dhe vepra të tjera të rënda. Njëri prej tyre ndodhet tashmë në burg, pasi së fundmi ishte arrestuar për veprimtari të lidhura me drogën.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar katër pushkë kallashnikov, tre pistoleta dhe një sasi kokaine.
Një nga shqiptarët, i njohur me emrin “Demos”, dyshohet se është drejtuesi i grupit dhe më herët ka qenë pjesë e një bande kriminale të drejtuar nga krimineli i njohur Vasilis Stefanakos, i ekzekutuar në vitin 2018.
Katër prej të dyshuarve, të identifikuar si pjesë e “skuadrës së ekzekutimit”, lidhen me tentativën për vrasjen e 42-vjeçarit Giannis Lalas, jashtë pikës së tij të karburantit në Ano Liosia. Gjatë atentatit, Mercedes-i i blinduar i Lalasit u qëllua me kallashnikov, por ai arriti t’i mbijetojë sulmit dhe më pas kërkoi mbrojtje nga policia. /Gjurmuesi/







