Një valë pakënaqësie po shpërthen brenda Muzeut të Luvrit, pasi punëtorët kanë marrë vendimin të ndërpresin punën. Ata po reagojnë ndaj kushteve të vështira të punës, politikave të reja të çmimeve dhe problemeve të sigurisë që kulmuan me vjedhjen e bujshme të Xhevahireve të Kurorës Franceze në tetor. Vendimi për grevë u miratua të hënën dhe është drejtuar zyrtarisht autoriteteve franceze.
Në një letër dërguar Ministres së Kulturës të Francës, Rachida Dati, sindikatat CGT, CFDT dhe Sud paralajmëruan grevë për të hënën e ardhshme, duke theksuar se “vizita në Luvër është bërë një rrugë me pengesa të vërteta” për miliona vizitorë që vijnë për të parë koleksionet e muzeut.
Sipas tyre, institucioni – i cili mbetet muzeu më i vizituar në botë – po përballet me një “krizë” serioze për shkak të burimeve të pakta dhe “kushteve pune gjithnjë e më të përkeqësuara”.
“Vjedhja e 19 tetorit 2025 nxori në pah mangësitë në prioritetet që ishin raportuar prej kohësh”, pretenduan sindikatat.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës, kur grabitësit arritën të marrin bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro, ndërsa drejtori i muzeut pranoi më vonë se kishte ndodhur një “dështim i tmerrshëm” në aspektin e sigurisë. /Gjurmuesi/







