Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar një protestë të re, duke bërë të ditur se punëtorët e sektorit energjetik do të mblidhen më 12 dhjetor, në orën 11:00, para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë. Qëllimi i këtij tubimi është adresimi i kërkesave që, sipas sindikatës, janë zvarritur prej kohësh.
Në komunikatën drejtuar mediave theksohet se kërkesat kryesore të protestës mbeten:
“Rritja e pagave për punëtorët e KEK-ut, në përputhje me tregun e punës, nivelin e inflacionit dhe kushtet e rrezikshme të punës. Nivelizimi i pagave të punëtorëve të sigurimit fizik, duke i barazuar me punëtorët tjerë të KEK-ut, me efekt nga 01.01.2026. Zbatimi i pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, ashtu siç është premtuar për sektorin publik”.
Sindikata e Re e KEK-ut ka rikujtuar se protesta do të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe simbolike, duke synuar të përcjellë një mesazh për dialog, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë mes palëve, e jo për përplasje. /Gjurmuesi/







