Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar Kinën për mundësinë e vendosjes së tarifave mbi produktet kineze nëse Pekini nuk ndërmerr masa për të reduktuar suficitin e tij tregtar me Bashkimin Evropian. Ky paralajmërim erdhi gjatë një vizite të tij në Kinë në fillim të dhjetorit.
Gjatë qëndrimit në Pekin, Macron u kërkoi udhëheqësve kinezë të punojnë më shumë për të adresuar çekuilibrat “e paqëndrueshëm” në tregtinë globale, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në fushat e gjeopolitikës dhe mjedisit.
“U përpoqa t’u shpjegoja kinezëve se suficiti i tyre tregtar është i paqëndrueshëm sepse po shkatërrojnë klientët e tyre, veçanërisht sepse nuk importojnë më shumë nga ne,” tha Macron në një intervistë.
Ai shtoi se “nëse nuk reagojnë, ne evropianët do të detyrohemi të marrim masa të forta në muajt e ardhshëm, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara, siç është, për shembull, vendosja e tarifave për produktet kineze.”
Ndërkohë, deficitit tregtar i Bashkimit Evropian me Kinën është rritur me rreth 60% që nga viti 2019, duke reflektuar rritjen e shqetësimeve mbi ekuilibrat tregtarë midis dy palëve. /Gjurmuesi/







