Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u trajtua situata lidhur me financimin e këtij institucioni për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Edhe pse plani i buxhetit ishte miratuar më 25 nëntor, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, bëri të ditur se KQZ ende nuk ka marrë asnjë konfirmim nga Ministria e Financave dhe nuk është pajisur me mjete financiare.
Kërkesa zyrtare e Komisionit, me vlerë 11.5 milionë euro, nuk është përfillur ende nga ministria përkatëse.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, pyeti për vonesën e ndarjes së buxhetit dhe ndikimin e saj në operacionet zgjedhore: “Mund të na informoni se deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor. Kisha dashur me iu pyet a është vonë mosndarja e buxhetit deri në këtë kohë, sa i përket operacioneve zgjedhore?”
Buzhala u përgjigj se menjëherë pas miratimit të planit të buxhetit, ai ishte dërguar në Ministrinë e Financave përmes arkivit dhe email-it, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje: “Aktualisht nuk kemi asnjë njoftim lidhur me kërkesën që është parashtruar”. /Gjurmuesi/







