Një qytetar nga Vushtrria ka ngritur akuza serioze ndaj Spitalit ‘Sheikh Zayed’, duke pretenduar se nëna e tij nuk ka marrë kujdesin e duhur gjatë vizitës së fundit, para se të ndërronte jetë më 23 nëntor 2025.
Bardhyl Duklini thotë se e ëma e tij, e cila kishte trajtime të mëparshme për aritmi në të njëjtin spital, kishte qëndruar rreth 35 minuta pa ndihmë urgjente, ndonëse gjendja kërkonte reagim të menjëhershëm. Ai ka theksuar se, pas pritjes, tekniku i ka dhënë medikamentet direkt, përfshirë një pantoprazol dhe një paracetamol, ndërkohë që mjekët rekomandojnë përdorimin e infuzionit në raste të tilla.
Duklini pretendon gjithashtu se raporti mjekësor nuk përputhet me ngjarjet reale. Sipas tij, barnat e administruara nuk janë të përfshira në dokumentacion, dhe pulsi i nënës së tij ishte regjistruar 130, ndërkohë që tekniku kishte raportuar me zë të lartë pulsin 145 tek mjeku.
Familja ka kërkuar hapjen e një hetimi të plotë, përfshirë pamjet e kamerave të asaj mbrëmjeje, për të sqaruar nëse ka pasur vonesa, mospërputhje në trajtim apo shkelje të protokolleve mjekësore.
Duklini ka apeluar për veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe ka nënvizuar se çështja lidhet më gjerë me nevojën për përgjegjësi dhe humanitet në sistemin shëndetësor. Ai ka konfirmuar se ka denoncuar rastin edhe tek organet e rendit dhe po pret përgjigje.
Redaksia ka nisur pyetje në Polici dhe Prokurori për të marrë më shumë informacion lidhur me këtë rast. /Gjurmuesi/







