Policia e Kosovës ka zgjeruar flotën e saj me automjete të reja, një lëvizje që synon të përmirësojë reagimin në terren dhe të rrisë efikasitetin e njësive patrulluese. Ky hap shënon vazhdimësinë e përkushtimit të menaxhmentit për ta bërë shërbimin policor më të qasshëm dhe më funksional për qytetarët në të gjithë vendin.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka ndarë një kontingjent të ri veturash zyrtare për njësitë patrulluese.
Në komunikatën për media thuhet se arritja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve tashmë do të realizohen më lehtë falë furnizimit me automjete të reja për stacionet policore.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka vazhduar mbështetjen ndaj departamenteve policore, në këtë rast të rendit publik, duke ndarë 41 vetura të reja, prej tyre 35 limuzina – përfshirë modele hibride – si dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese në të gjitha drejtoritë rajonale”.
Në njoftim theksohet se ky furnizim i ri është një dëshmi e qartë e angazhimit të menaxhmentit të Policisë për një qasje edhe më proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit, dhe për reagim më të shpejtë ndaj nevojave në terren.
Për më tepër, Policia thekson se ky hap përkon edhe me synimin për rritjen e besueshmërisë dhe transparencës institucionale. /Gjurmuesi/







