Mbyllja e afatit për paraqitjen e koalicioneve ka nxjerrë në pah një qasje dukshëm më të kujdesshme nga partitë e mëdha, të cilat këtë herë kanë vendosur të garojnë kryesisht të vetme. Analistët vlerësojnë se subjektet politike kanë peshuar mirë përfitimet dhe humbjet e bashkëpunimeve të kaluara, ndërsa disa prej aleancave që janë krijuar me parti të vogla apo me individë vlerësohen si të paarsyetuara në aspektin programor dhe ideologjik.
Në këto zgjedhje, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në garë me një koalicion më të gjerë, duke përfshirë Listën GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK). Ndërkohë, PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë zgjedhur të dalin të vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke përfshirë në listat e tyre disa individë ose parti të vogla.
Sipas analistit Muhamet Hajrullahu, fakti që NISMA nuk ka arritur të lidhë asnjë koalicion – as me LDK-në e as me ndonjë subjekt tjetër – është befasues. Ai thekson se disa prej bashkëpunimeve të Vetëvendosjes me parti të vogla, por edhe aderimet e individëve në listat e PDK-së e LDK-së, nuk kanë asnjë përputhje ideologjike.
“Këto lëvizje duken si pazare të momentit të fundit, pa lidhje me ideologji ose interesa afatgjata. Synimi duket i qartë: të grumbullohen vota kudo ku është e mundur. Nuk ka vizion të përbashkët, por interesa të çastit që përfundojnë vetëm te ndonjë votë më shumë”, tha Hajrullahu, duke shtuar se nuk pret ndryshime të thella në listat për deputetë, përveç aderimeve sporadike.
Ai vlerëson gjithashtu se decentralizimi i propozimeve nga degët nëpër komuna e shpërndan përgjegjësinë për rezultatin final të partive.
Në një vlerësim të ngjashëm, analisti politik Bekim Kabashi thotë se partitë kanë nxjerrë mësime nga gabimet e zgjedhjeve të kaluara. Sipas tij, subjektet po tentojnë të shmangin bashkëpunimet që nuk i pëlqen elektorati dhe po i kushtojnë kujdes mënyrës së përpilimit të listave.
Kabashi përmendi shembuj konkretë duke theksuar se AAK ka pësuar më shumë dëme sesa përfitime nga koalicioni me NISMA-n në zgjedhjet e kaluara, ndërsa LDK është përballur me tensione të brendshme lidhur me përzgjedhjen e listës për deputetë. Për këtë arsye, sipas tij, kryetari Lumir Abdixhiku këtë herë ka lënë kryesinë ta bëjë përzgjedhjen për të shmangur përplasje të reja.
Partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për garën e 28 dhjetorit. /Gjurmuesi/







