Kundërshtimet mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji janë thelluar dukshëm, pasi OEK akuzon ZRRE-në për mospërfillje dhe shtrembërim të vendimit të Gjykatës Supreme sa i përket procesit të liberalizimit të tregut të energjisë. OEK madje paralajmëron kallëzim penal nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.
Në reagimin e saj, Oda Ekonomike thekson se Gjykata Supreme ka konstatuar qartë se liberalizimi i tregut të energjisë është kryer në kundërshtim me ligjin, pa analizë të konkurrencës, pa konsultime publike dhe përtej autorizimeve të rregullatorit. Vendimi, sipas tyre, është i formës së prerë dhe duhet zbatuar menjëherë.
OEK kritikon edhe komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, të cilën e konsideron si tentim për të relativizuar vendimin e Supremes dhe për të krijuar pasiguri të re ligjore, e cila, sipas tyre, i ekspozon bizneset ndaj rreziqeve dhe dëmeve shtesë.
Në reagim thuhet se asnjë institucion publik nuk ka të drejtë të interpretojë apo të minimizojë efektin juridik të një vendimi të Gjykatës Supreme, ndërsa çdo veprim që mbështetet në aktet tashmë të shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.
OEK thekson se bizneset janë dëmtuar rëndë nga ky proces, përmes rritjes së çmimeve, kontratave të pavullnetshme dhe depozitave të pajustifikuara, duke shkaktuar pasoja direkte në ekonomi.
Për këtë arsye, OEK kërkon nga ZRRE që brenda pesë ditësh të dalë me një komunikatë të qartë dhe të saktësuar lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të gabuar, të rikthejë të gjitha bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të bëjë rillogaritjen e faturave të periudhës së liberalizimit të konsideruar të paligjshëm dhe të zbatojë në tërësi vendimin e Supremes.
Nëse këto kërkesa nuk realizohen, OEK paralajmëron kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së për pengim të zbatimit të një vendimi të formës së prerë.
Sipas Odës, mospërmbushja e vendimit dëmton konkurrueshmërinë, stabilitetin ekonomik dhe sigurinë juridike në sektorin e energjisë, si dhe paraqet rrezik për imazhin e vendit ndaj investitorëve. Ata theksojnë se ky proces ka shkaktuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka bllokuar potencialin për investime të reja, duke rrezikuar edhe vende pune.
Në përmbyllje, OEK deklaron se do të vazhdojë të mbrojë juridikisht bizneset e prekura dhe se zbatimi i vendimeve gjyqësore është kushte bazë për funksionimin e shtetit të së drejtës. /Gjurmuesi/









