Një udhëtim familjar i ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Nexhat Pireva, përfundoi me ndalimin e tij nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë. Pas disa orësh marrjeje në pyetje dhe presioni, Pireva u lirua dhe aktualisht ndodhet në liri.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar për këtë rast, duke denoncuar veprimet e autoriteteve serbe si keqtrajtim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe në shkelje të marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve. Sipas njoftimit zyrtar, Pireva po udhëtonte bashkë me familjen për në Bujanoc.
Ky rast i Pirevës shtohet në një listë të gjatë të qytetarëve kosovarë që janë ndaluar nga Serbia pa prova të forta, përfshirë edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe ish-zyrtarë të institucioneve të sigurisë. Njëri prej tyre është Nezir Mehmetaj, i cili qëndroi gjashtë vjet në burgun e Beogradit pa vendim të formës së prerë, dhe që sot u vizitua nga ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu. Pak ditë më parë, Presidentja Osmani priti edhe ish-zyrtarin tjetër të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiun, i arrestuar gjithashtu nga Serbia.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar se këto veprime përbëjnë një fushatë të Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ish-zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Ai ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kalimeve kufitare, duke paralajmëruar se udhëtimet tokësore përmes Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë apo Maqedonisë mund të paraqesin rrezik për ndalime të ngjashme.
Ministria e Punëve të Jashtme ka vazhduar të këshillojë qytetarët, veçanërisht veteranët e UÇK-së dhe ish-zyrtarët e sigurisë, që të shmangin kalimet nëpër Serbi për të parandaluar situata të tilla. /Gjurmuesi/







