Tetova do të shënojë ditë zie të hënën, pas humbjes së këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare. Vendimi është bërë publik nga autoritetet lokale, të cilat theksuan se kjo ditë do të jetë një homazh për figurën e tij dhe kontributin që ai la në muzikë dhe kulturë.
Në njoftimin zyrtar thuhet se më 1 dhjetor 2025, e gjithë zona e Komunës së Tetovës do të jetë në zi në nderim të artistit. Sipas autoriteteve, Kasapi ka qenë një prej emrave që ka ndikuar ndjeshëm në skenën muzikore shqiptare, në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
“Këngëtari Shpat Kasapi dha një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Komunën e Tetovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë artdashësve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kasapi ndërroi jetë të mërkurën në Itali si pasojë e një ataku kardiak. Sot ai u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e qytetit të Tetovës, ku morën pjesë mijëra qytetarë që i dhanë lamtumirën e fundit. /Gjurmuesi/









