Prishtina ka bërë një hap të rëndësishëm drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, duke marrë miratimin e ICMG-së për prezantimin e propozimit dhe vazhdimin e përgatitjeve. Ky konfirmim shënon një moment kyç për kryeqytetin dhe gjithë Kosovën në këtë rrugëtim sportiv dhe zhvillimor.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se Lojërat Mesdhetare nuk përfaqësojnë vetëm sportin, por edhe zhvillim urban, infrastrukturë moderne, mundësi për të rinjtë dhe një mundësi për të promovuar Prishtinën ndërkombëtarisht. Ai falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës, Administratën e Kryeqytetit dhe Qeverinë e Kosovës për përkushtimin dhe partneritetin në këtë projekt.
Po ashtu, Rama shprehu mirënjohje për Qeverinë dhe Komitetin Olimpik të Shqipërisë për mbështetjen në sigurimin e qasjes në det, duke theksuar se ky bashkëpunim forcon dimensionin mesdhetar të Lojërave.
“Puna e madhe sapo ka nisur dhe së bashku mund të arrijmë më shumë dhe më mirë”, tha ai, duke nënvizuar se projekti është një përpjekje e përbashkët dhe ambicioze. /Gjurmuesi/








