Një studim i ri shkencor po ndryshon tërësisht të kuptuarit për mënyrën se si macet u afruan me njerëzit. Rezultatet tregojnë se procesi i zbutjes së tyre nuk ka ndodhur aq herët dhe as në rajonin ku besohej deri më sot, por shumë më vonë dhe në një vend tjetër nga ai që mendohej prej dekadash.
Sipas të dhënave të reja, macet kanë kaluar nga jeta e egër në atë pranë njerëzve vetëm rreth 3.5 deri në 4 mijë vjet më parë, dhe jo 10 mijë vjet më parë siç ishte supozuar më herët. Për më tepër, kjo marrëdhënie nuk ka nisur në Levant, por në veriun e Afrikës.
Profesor Greger Larson nga Universiteti i Oksfordit thekson se popullariteti i madh i maceve sot ka rrënjë shumë më të vona nga sa ishte besuar. Ai shpjegon se macet moderne rrjedhin të gjitha nga macja e egër afrikane, por momenti kur ajo humbi egërsinë dhe filloi t’i afrohej njeriut ka mbetur një mister i gjatë.
Për të zbuluar këtë, studiuesit analizuan ADN-në e eshtrave të maceve të gjetura në Evropë, Afrikën veriore dhe Anatoli. Pas datimeve dhe krahasimeve të gjenomit me macet e sotme, ata arritën në një përfundim të qartë: procesi i zbutjes ka ndodhur më vonë dhe është i lidhur ngushtë me rajonin e Afrikës, duke e bërë fenomenin dukshëm më “egjiptian”.
Ky rezultat lidhet me atë që dihet për Egjiptin e lashtë, ku macet jo vetëm respektoheshin, por edhe përfshiheshin thellë në kulturë, art dhe madje mumifikoheshin. Nga aty, macet u përhapën në botë, me rolin e tyre si kontrolluese të brejtësve në anije dhe vendbanime. Në Evropë kanë mbërritur rreth 2 mijë vjet më parë, duke udhëtuar fillimisht me romakët, për t’u shpërndarë më pas drejt Azisë përmes Rrugës së Mëndafshtë.
Sot macet gjenden pothuajse kudo në planet, përveç Antarktidës.
Një aspekt tjetër interesant i studimit është identifikimi i një “konkurrenti” të vjetër: macja leopard në Kinë. Këto mace të vogla me pika kanë jetuar pranë njerëzve rreth 3,500 vjet përpara se macet e shtëpisë të arrinin atje.
Profesoresha Shu-Jin Luo nga Universiteti i Pekinit thotë se bashkëjetesa me macet leoparde ka qenë “komensale”, pra një marrëdhënie ku të dyja palët bashkëjetonin pa penguar njëra-tjetrën. Këto mace shfrytëzonin afërsinë me njerëzit, ndërsa njerëzit i toleronin dhe i shihnin si mbrojtëse kundër brejtësve.
Megjithatë, ndryshe nga macet e sotme, macja leoparde nuk u zbut kurrë dhe vazhdon të jetojë e egër nëpër Azi. Ironikisht, më vonë ajo u kryqëzua me macet shtëpiake duke krijuar racën Bengal, e njohur zyrtarisht që nga vitet 1980.
Studimi është publikuar në Science dhe Cell Genomics. /Gjurmuesi/









