Qeveria në detyrë ka realizuar premtimin e dhënë në fund të tetorit, duke ekzekutuar rritjen prej 50% të shtesave për fëmijë, vetëm pak javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, konfirmoi se mbi 400 mijë fëmijë tashmë i kanë të transferuara pagesat e rritura në llogaritë e familjeve përfituese.
Megjithëse rritja është vlerësuar si e dobishme për familjet, koha e vendimit ka shkaktuar reagime të shumta. Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e cilësoi këtë veprim si përpjekje për të ndikuar politikisht votuesit, duke theksuar se masat financiare nuk duhet të merren në momente të ndjeshme zgjedhore vetëm për interesa elektorale.
Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe në përputhje me kornizat buxhetore, jo me vendime të papritura që krijojnë precedent të rrezikshëm. Shatri shtoi se vendimi është marrë në një periudhë kur qytetarët kanë vështirësi financiare, gjë që e bën ndikimin e këtyre masave edhe më të ndjeshëm.
Edhe juristi Hasan Shala ndau të njëjtin shqetësim, duke theksuar se përveç kontekstit elektoral, rritja e shtesave bie ndesh me Ligjin për Qeverinë. Ai tha se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara dhe nuk mund të marrë vendime të tilla që prekin në mënyrë strukturore buxhetin dhe politikat sociale.
Vendimi i 31 tetorit, përveç rritjes së shtesave për fëmijë, përfshinte edhe rritjen e pensioneve dhe paralajmërimin për pagën minimale prej janarit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se ishte më mirë që këto masa të merreshin menjëherë sesa të pritej formimi i një qeverie të re me mandat të plotë, për të cilën nuk dihej saktësisht kur do të mund të ndodhte. /Gjurmuesi/









