Autoritetet serbe njoftuan të martën se kanë arrestuar një ish-anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identifikuar me iniciale A.Q., për dyshimet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer krime të luftës dhe nxitje për gjenocid.
Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme, A.Q. i është bashkuar në prill të vitit 1998 shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj postës kufitare serbe në Koshare në vitin 1999. Autoritetet serbe kanë caktuar për të masa ndalimi prej 48 orësh dhe kanë paralajmëruar dorëzimin e një kallëzimi penal në prokurorinë kompetente. Deri tani, institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar për këto pretendime.
Beteja në Koshare zhvillohej në një post ushtarak të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes forcave jugosllave dhe UÇK-së. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, në këtë betejë u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave, ndërsa autoritetet nga Kosova raportuan 114 të vrarë të UÇK-së. NATO ndërhyri në maj të 1999-s pas masakrës së Reçakut dhe sulmet u ndërprenë më 10 qershor me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, që parashikonte tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Në Serbi, 9 prilli shënohet si një betejë heroike e forcave jugosllave, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së. Gjatë viteve ’90, Serbia e ka konsideruar UÇK-në organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja përfaqëson mbrojtësin e popullsisë lokale nga represioni i forcave serbe. /Gjurmuesi/







