Ndriçimi publik në Vushtrri ka përjetuar shkyçje në ditët e fundit për shkak të mungesës së mjeteve financiare, një situatë që ka shqetësuar banorët e qytetit.
Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të normalizuar gjendjen. Ai bëri të ditur se për këtë arsye është thirrur edhe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal.
Sipas Idrizit, shkyçjet nga KEDS-i kanë ardhur si pasojë e përmbarimit të mjeteve të komunës për përmbushjen e Kontratës Kolektive. “Vetëm për vitin 2025, Komunës së Vushtrrisë i janë marrë mbi 3.5 milion euro, ose mbi 50% të buxhetit vjetor për investime kapitale,” tha ai.
Ai shtoi se qëllimi i seancës së jashtëzakonshme është miratimi i tejkalimit të të hyrave vetanake, në mënyrë që një pjesë e tyre të shkojë për pagesën e faturave të energjisë për ndriçimin publik. “Ne po bëjmë gjithçka të mundur për të rikthyer normalitetin sa më shpejt,” u shpreh Idrizi. /Gjurmuesi/







