Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me mungesë të barnave thelbësore, gjë që po ndikon drejtpërdrejt te pacientët. Nga kaliumi, i domosdoshëm për pacientët me gjendje të rënda shëndetësore, te medikamentet për trajtimin e kancerit dhe vitaminat bazë, shumë qytetarë janë të detyruar t’i blejnë vetë barnat për të siguruar trajtim adekuat për familjarët e tyre.
Një nga barnat më të nevojshme, kaliumi, i përdorur për trajtimin e hipokalemisë, mungon në klinikat e QKUK-së. Një prind tregoi për vështirësitë që ka hasur për të siguruar ilaçin për djalin e tij, i cili kishte probleme me të vjella. “Ka qenë e tmerrshme. Në klinika mungon edhe gjëja më bazike që përdoret më së shpeshti, kaliumi. Kur më thanë se edhe për këtë ka mungesa këto ditë, u tmerrova. Në çfarë vendi jetojmë? S’ka pothuajse asgjë gati, çdo gjë duhet ta blesh me para”, tha ai.
Mungesa e kaliumit është konfirmuar edhe nga barnatoria qendrore, e cila e ka lidhur problemin me dështimet e mëparshme në procesin e kontraktimit: “Produkti kalium është në procedurë të kontraktimit, pas disa dështimeve për kontraktim”.
Vlorian Molliqaj, njohës i politikave shëndetësore, paralajmëron se situata mund të përkeqësohet vitin e ardhshëm, kur buxheti mund të mos jetë i mjaftueshëm për listën e barnave esenciale. Ai kërkon përshpejtim të procedurave për aprovimin e barnave që përdoren në vendet e BE-së, prioritet për ankesat në OSHP, dhe krijimin e një rezervë shtetërore 3-6 mujore me barnat esenciale.
Përveç kaliumit, pacientët e Onkologjisë kanë hasur mungesë të palbociclibit, përdorur për trajtimin e kancerit të gjirit në fazë të avancuar, pasi sasia e parashikuar u shfrytëzua më shpejt se sa ishte planifikuar. Burime raportojnë gjithashtu mungesë të vitaminës B-kompleks, për të cilën SHSKUK ende nuk ka dhënë përgjigje. /Gjurmuesi/









