Policia në Shtime ka finalizuar me sukses një operacion kërkimi që ka rezultuar me arrestimin e E.M. (32), person i dyshuar për kanosje dhe i kërkuar për disa vepra të mëparshme penale. Ndërhyrja erdhi pas raportimit të një qytetari, i cili njoftoi autoritetet se ishte kërcënuar nga i dyshuari.
Sipas policisë, menjëherë pas marrjes së denoncimit, njësitë policore të udhëhequra nga komandanti i stacionit nisën kërkimin e të dyshuarit. Rreth orës 13:30, u mor informacion se E.M., së bashku me një të afërm, ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit. Gjatë tentimit për t’u larguar me një veturë të tipit “Pick-up”, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri (pistoletë) dhe është arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc.
Fillimisht, policia ka ndaluar M.M. (43), i cili dyshohet se e ndihmoi E.M.-në gjatë ikjes së tij. Ndërkohë, me vendosjen e njësive policore në pika të rëndësishme të fshatit Carralevë, është arritur lokalizimi dhe arrestimi i personit kryesor të kërkuar, pa rrezikuar asnjë pjesëtar të policisë.
Gjatë kontrollit trupor dhe të sendve personale, te E.M. është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me disa fishekë.
I arrestuari ka qenë i kërkuar për disa raste të hapura: posedim të narkotikëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lëndim i rëndë trupor nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe vrasje e mbetur në tentativë – rast që trajtohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.
Ndaj M.M. është iniciuar procedura për veprën penale “Ofrimi i ndihmës pas kryerjes së veprës penale”.
Prokurori i shtetit është njoftuar për të gjitha veprimet, dhe me vendim të tij, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore. /Gjurmuesi/







