Një stuhi e fortë dëbore ka goditur disa zona të Kroacisë, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe duke detyruar autoritetet të mbyllin një numër të madh rrugësh. Për rajonin e Rijekës është aktivizuar alarmi i kuq për motin, pasi situata vazhdon të përkeqësohet nga reshjet intensive.
Sipas të dhënave nga mediat kroate, bora ka paralizuar shumë pjesë të vendit, përfshirë Kroacinë qendrore dhe veriperëndimore. Në pjesën më të madhe të akseve rrugore raportohen rrugë të rrëshqitshme dhe qarkullim i vështirësuar.
Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat e ulëta mund të krijojnë ngrica, veçanërisht në ura dhe mbikalime. Klubi i Automobilizmit Kroat (HAK) njofton gjithashtu për rrezik të shtuar të rrëshqitjeve të dheut përgjatë Autostradës Adriatike (DC8) si edhe në rrugët malore.
Shoferëve u kërkohet të ulin shpejtësinë, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të mos udhëtojnë pa pajisje dimërore, pasi kushtet e motit mbeten të rrezikshme. /Gjurmuesi/







