Kosova mund të humbasë 90.3 milionë euro nga Banka Botërore nëse marrëveshja për financimin zhvillimor nuk merr votat e Kuvendit deri më 13 shkurt. Institucioni ndërkombëtar ka konfirmuar se ky është afati i fundit për hyrjen në fuqi të mbështetjes financiare, e cila ishte miratuar në mars të vitit 2024.
Banka Botërore ka bërë të qartë se nëse marrëveshja nuk ratifikohet brenda afatit, ajo do të anulohet automatikisht. Bëhet fjalë për programin që synon efektivitetin fiskal, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e gjelbër në Kosovë.
Projektligji për ratifikim ishte shqyrtuar së fundi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se marrëveshja ka normë interesi zero për 12 vjet dhe se është bllokuar në Kuvend për më shumë se një vit. Seanca dështoi për mungesë kuorumi, ndërsa një ditë më pas presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin, pasi ai nuk arriti të zgjedhë qeverinë e re.
Me zgjedhjet e reja të caktuara për 28 dhjetor, legjislatura e ardhshme do të ketë vetëm rreth një muaj e gjysmë kohë për ta ratifikuar marrëveshjen me dy të tretat e votave.
Përveç këtyre mjeteve, Kosova rrezikon edhe fondet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. BE-ja ka bërë të ditur se pagesat nuk mund të lëshohen pa u ratifikuar marrëveshjet në Kuvend. /Gjurmuesi/









