YouTube ka nisur një fazë të re testimi për rikthimin e mesazheve direkte në platformë, duke e ringjallur funksionin që kishte hequr para gjashtë vitesh. Lëvizja synon t’u lehtësojë përdoruesve shpërndarjen e videove dhe bisedat rreth tyre brenda vetë aplikacionit.
Testimi po zhvillohet vetëm për përdoruesit mbi 18 vjeç në Irlandë dhe Poloni, dhe sipas udhëzimeve të kompanisë, mesazhet nuk janë plotësisht private, pasi YouTube rezervon të drejtën t’i shqyrtojë ato për shkelje të rregullave të komunitetit.
Kjo nuk është hera e parë që YouTube eksperimenton me funksionin e mesazheve: ai u prezantua në vitin 2017 dhe u hoq dy vjet më vonë, për t’i dhënë prioritet ndërveprimeve publike në komentet e videove. Megjithatë, mënyrat e tjera të shpërndarjes së videove jashtë aplikacionit nuk preken nga ky test i ri.
Pavarësisht vendimit të mëparshëm për ta hequr, Google thotë se rikthimi vjen si përgjigje ndaj kërkesës së madhe të përdoruesve, duke lënë të hapur mundësinë që funksioni këtë herë të fitojë mbështetje më të gjerë. /Gjurmuesi/








