Operacioni për të mbyllur çarjen në argjinaturën e Lagunës së Vainit vazhdon me sfida të mëdha, ndërsa situata në zonat e ulëta mbetet e rënduar. Pas shkarjes së argjinaturës mbrëmjen e së mërkurës, sipërfaqja e përmbytur është zgjeruar dukshëm të enjten, duke izoluar banesa dhe bllokuar rrugët, veçanërisht në zonat e Myltes dhe Barbullojës.
Banorët e zonës kanë shprehur shqetësim për rritjen e vazhdueshme të nivelit të ujit, ndërsa përveç rrezikut për banesat, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe blegtorinë.
Ndërhyrjet janë të komplikuara për shkak të terrenit. Ekipet e emergjencës civile të Bashkisë Lezhë, së bashku me forcat teknike dhe ushtrinë, po punojnë pa ndërprerje duke përdorur mjete të rënda dhe kamionë me gurë e materiale inertë, me qëllim frenimin e depërtimit të ujit drejt fshatrave të Njësive Administrative Shënkoll dhe Zejmen.
Megjithatë, terreni i kënetës e vështirëson lëvizjen e mjeteve të rënda, duke ngadalësuar punimet dhe duke e bërë ndërhyrjen më të rrezikshme. Përveç ekipeve shtetërore, disa kompani private kanë ofruar ndihmë me mjete të rënda për të përshpejtuar mbylljen e çarjes dhe për të shmangur izolimin e mëtejshëm të zonave të banuara.
Autoritetet po mbajnë terrenin nën vëzhgim të vazhdueshëm për të monitoruar situatën dhe për të reaguar menjëherë ndaj çdo rreziku të ri. /Gjurmuesi/







