Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është e bazuar dhe ka urdhëruar rikthimin e çështjes te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rivendosje.
Gashi kishte kërkuar fillimisht nga PZAP rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime, por më 14 nëntor ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.
Supremja ka konstatuar se PZAP nuk ka ndjekur udhëzimet e mëparshme të gjykatës dhe nuk ka zbatuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i mundëson këtij paneli të urdhërojë rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor gjatë hetimeve.
Sipas Gjykatës Supreme, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara është i nevojshëm për të garantuar saktësinë e rezultateve dhe integritetin e procesit zgjedhor, duke respektuar parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të përcaktuar në nenin 45 të Kushtetutës.
PZAP tani duhet të shqyrtojë sërish të gjitha pretendimet e kandidatit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Supremes, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë dhe vullneti i qytetarëve të mos devijohet. /Gjurmuesi/







