Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, pritet të paraqitet në Dhomat e Specializuara në Hagë javën e ardhshme, ku do të japë dëshminë në procesin kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmia e tij do të nisë të hënën, më 17 nëntor, dhe konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të kësaj faze të gjykimit.
Clark do të pyetet fillimisht nga avokatët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, për të vazhduar më pas me pyetjet e Prokurorisë dhe trupit gjykues. Ai është dëshmitari i shtatë dhe i fundit që thirret nga mbrojtja e Thaçit.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, dëshmia e tij do të zgjasë deri të mërkurën, më 19 nëntor, ditë kur do të mbahet edhe konferenca për ecurinë e çështjes. Seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.
Clark pritet të flasë fillimisht për karrierën e tij ushtarake – nga përvoja para emërimit si gjeneral me katër yje, e deri tek roli i tij si komandant i forcave evropiane të NATO-s. Më pas do t’i nënshtrohet pyetjeve lidhur me periudhën e luftës në Kosovë dhe proceset që paraprinë ndërhyrjen e NATO-s.
Një nga temat që pritet të trajtohet është marrëveshja Millosheviq – Rugova e vitit 1998, si dhe zbatimi i Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit. Po ashtu, Clark do të japë sqarime rreth fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s dhe lidhjes së tyre me zhvillimet në terren.
Mbrojtja e Thaçit pritet ta pyesë edhe për periudhën pas luftës: marrëveshjen e demilitarizimit, rolin e KFOR-it dhe përgjegjësitë që kanë pasur strukturat e UÇK-së, përfshirë Shtabin e Përgjithshëm.
Gjatë qëndrimit në Hagë, Clark do të shoqërohet nga zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së, pasi dëshmia e tij është e kufizuar vetëm në temat për të cilat ka marrë autorizim nga Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes.
Para tij, në këtë proces kanë dëshmuar edhe Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të NATO-s, si dhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill. /Gjurmuesi/







