Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë janë hapur sonte solemnisht Ditët e Shën Nënë Terezës 2026, një manifestim tradicional kushtuar figurës së shenjtores shqiptare.
Kjo ngjarje, të cilën KosovaPress e përcolli nga afër, nisi me Meshën e Shenjtë, ndërsa më pas u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së manifestimit.
Në këtë vit, aktivitetet marrin një domethënie të veçantë, pasi shënohet 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila u shpall shenjtore më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku.
Hapjen solemne e bëri Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa të pranishëm ishin besimtarë, përfaqësues të institucioneve, personalitete të kulturës dhe qytetarë.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte shfaqja e melodramës “And’rra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”, e interpretuar nga aktorja Justina Aliaj, e cila solli në skenë figurën dhe mesazhin e Nënë Terezës përmes artit.
Ditët e Shën Nënë Terezës do të zhvillohen nga 26 gushti deri më 4 shtator, me një program që ndërthur kremtime liturgjike, lutje dhe aktivitete kulturore.
Gjatë nëntëditëshit, famulli nga e gjithë Dioqeza e Kosovës do të shtegtojnë drejt Shenjtërores së Shën Nënë Terezës në Prishtinë për të marrë pjesë në kremtimet kushtuar shenjtores.
Manifestimi synon të rikujtojë jo vetëm jetën dhe veprën e Nënë Terezës, por edhe porosinë e saj për dashurinë, humanizmin dhe shërbimin ndaj njerëzve në nevojë.
Prishtina edhe këtë vit e kthen Katedralen “Shën Nënë Tereza” në një vend takimi për besimin, kulturën dhe kujtesën e një prej figurave më të njohura shqiptare në botë.














