Aleanca ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, ndërsa pas saj kryetari i partisë, Ardian Gjini, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka kritikuar gjendjen politike, institucionale dhe energjetike në vend.
Gjini ka thënë se Kosova ndodhet në një nga periudhat më të vështira të saj, duke theksuar se vendi është jashtë afateve kushtetuese për themelimin e institucioneve.
“Jemi jashtë afateve kushtetuese dhe jemi afër ditës kur Kosova ka me dalë jashtë afateve kushtetuese për themelimin e institucioneve demokratike”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar për dështime në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe politikë të jashtme, si dhe për “rrënim institucional dhe mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve”.
Sipas tij, Kosova ndodhet në një situatë nga e cila nuk mund të dalë pa pasoja, ndërsa ka thënë se Aleanca ka ofruar rrugë për tejkalimin e krizës politike.
Një pjesë të rëndësishme të deklarimit të tij, Gjini ia kushtoi sektorit energjetik. Ai tha se Kosova do të duhej të prodhonte rreth 600 megavat energji elektrike, gjë që, sipas tij, do ta ulte ndjeshëm nevojën për importe.
Ai pretendoi se importi i energjisë është shndërruar në një skemë të madhe përfitimi, duke akuzuar se energjia blihet me çmime shumë më të larta sesa kostoja e prodhimit të saj në Kosovë.














