Një incident i pazakontë ka shënuar një prej garave më të njohura tradicionale në Oman, duke tronditur botën e konkurseve të bukurisë për deve. Organizatorët kanë përjashtuar 20 kafshë nga një garë prestigjioze pasi u konstatua se ato kishin qenë subjekt i ndërhyrjeve estetike për të përmirësuar pamjen e tyre.
Konkurset e bukurisë për deve, të përhapura në vendet e Gjirit, konsiderohen ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe pjesë e trashëgimisë beduine. Çdo vit, mijëra deve marrin pjesë në gara ku ndahen çmime me vlerë miliona paund. Vlerësimi nuk bazohet vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në karakterin dhe sjelljen e kafshëve.
Në edicionin e fundit në Oman, disa rritës kanë tentuar të manipulojnë rezultatet përmes metodave të ndaluara. Sipas inspektorëve, disa deveve u ishin injektuar Botox për të fryrë buzët, relaksues muskujsh për të zbutur tiparet e fytyrës, si dhe injeksione me silikon për të zmadhuar gungën e tyre.
Organizatorët kanë bërë të qartë se rregullat për ruajtjen e integritetit të garës janë tepër të rrepta dhe çdo shkelje rezulton me skualifikim të menjëhershëm.









